Edhe njëherë tek ti, aty ku humb edhe rigjej vetveten…

Tre herë nisa ta shkruaj e të treja herët shkronjat më ngecnën në fyt.
Nga t’ia nis? Më thuaj. Nga t’ia nis kur zemra shkulet vendit e vjen tek ti sa herë që të mendoj.
“E kam harruar” – u përpoqa të bind veten nëpër netë kur shpirti dehej nëpër bare.
E genjeva veten ditë pas dite aq sa dukej se dhimbja u venit ,
edhe mes kujtimesh mbetën vec të qeshurat tona. Por ti s’mungoje më.
Ti nuk ishe më dhimbje e imja.
U desh të kalonin muaj-vite, përpara se teoritë e mia “Si-të-jem-mirë-pa-ty”
të rrëzoheshin në të qindtën e sekondës.
U deshën vec 10 sekonda përplasje për të kuptuar se asnjë dhe asgjë nuk të zvëndëson ty.
Unë , e marra pas syve të tu, u rrëzova vec me një veshtrim tëndin përmes xhamit, ende pa më prekur.
M’i shkunde ndenjat, ma more zemrën edhe njeherë e ma ngrite peshë ,
m’i tërbove ëndrrat dhe shpresat m’i cove lart në ajër.
Cdo gjë e imja u trondit vetëm nga një shikim.

Të mos isha një njeri, që sforcoi veten të mos rendte drejt teje,
apo sikur ndjenjat të kishin pajme fizike e të mund të flisnin ,
do të ishin hedhur në krahë, të të kishin prekur duart, syte, fytyrën, lëkurën
e sa qielli ta degjonte do kishin ulëritur
“Të dua!”
Me këmbët që më ngrinë në vend, me zemrën që rrahjet rriti cmendurisht, e me lotët në fyt ,
u riktheva në vetvete.
E teksa përballem me ty, përballem me veten.
Në duart e tua dridhem, teksa ti më sheh unë shndërrohem,
bëhem e njëjta me zemrën plot e me sytë që shndrrisin dashuri.
Zot, sa më kishte munguar. Unë jam vetja ime më e mirë vetëm kur ti më sheh.
E shoh veten përmes teje dhe për dreq urrej kohën. Koha luajti me ne, luajti pisët.
Po në djall të vejë. Në djall të venë të gjitha.
Në ato minuta, kur përjetësia fshihet mes shikimit tonë, unë e di, e di që s’ka mbaruar.
Je ti ai që ma zhvesh cdo frikë, më tjetërson e ma mbush gjithë qënien time me emocion.
Sa bosh jetoj unë pa ty.
Më kot vazhdoj përpiqem të zvëndësoj atë cka ti je në mua, me njerëz që nuk të ngjajnë aspak.
E sa shumë të kërkoj në cdo njeri që takoj.
Sa keq paskam rënë për ty.
Zot, sa vështirë e kam të mos të të ndjej.

Nuk di kujt t’ia vë fajin? E nuk e di se cili është mëkat më i madh,
ne të dy bashkë apo ne të dy të ndarë.
Më thuaj ti se si mundesh të jetosh duke ditur që ndjenjat që u përpoqëm t’i shuanim në kaq kohë, rizgjohen në një shikim?
Më thuaj ti se si mundesh t’i flesh tjetrës në shtrat kur shpirtin pezull ke tek unë.
Kur një prekje e imja të rrëzon edhe ty.
Më thuaj, a nuk është mallkim të kesh dikë që të do si unë?
Më thuaj , si ta qetësoj veten kur e di që askush tjetër s’do mundet të më dojë sikur ti?

Se mua askush nuk më sheh si më shohin sytë e tu.
Mua askush nuk më njeh sic më njohin sytë e tu.
Asnjë njeri që më ka njohur pas teje, asnjë njeri, nuk më ka njohur.
Po më e keqja është se unë nuk kam qënë vetvetja për kaq shumë kohë edhe askush nuk e ka kuptuar.
Askush vec teje, që s’u mjaftove kurrë me “Jam mirë” timen.
Vec teje që me sytë e tu kërkove gjithmonë përtej syve të mi.

Sa tmerrësisht e bukur është të dish që gjithmonë do kesh vend në zemrën e dikujt.
Sa e tmerrshme është të dish, që pavarsisht viteve, në një shikim , ne jemi ende gjallë.

Para se dera të hapej edhe unë të ikja edhe njeherë tjetër nga jeta jote,
zemra më dha një goditje e doja të të merrja me vete.

“Leje! Leji të gjitha edhe eja. Eja se unë e di që më shumë se për ty, s’i jam lutur Zotit për asgjë.
Eja , në djall të gjitha, vetëm më kap dorën edhe ikim, se pa ty- që je dashuria- jeta është bosh.
Cdo gjë tjetër që blihet me para, nuk ja vlen.
Eja edhe jetojmë të dy, flejmë të dy, bëjmë dashuri netëve të dy , zgjohemi të dy. ”

E pastaj zemra ndal.
Po unë si gjithmonë të fal, si gjithmonë prap do të të dua, e si cdo herë tjetër
kur bota të më shembet ndër këmbë,
kur qielli të përmbyset,
kur fryma të më ndalet ,
kur vetvetja të më mungojë,
unë do rikthehem tek ti.

Tek ti unë humb dhe rigjej veten,
tek ti,
vetëm tek ti,
zemra ime e ka një shtëpi!

©Fiori Dalipi (fiori_d)

error: Content is protected !!