PëR vajzën që dua të kem…

Unë nuk kam pasur asnjëherë të theksuar ndjenjës e mëmësisë. Por sa e herë e kam menduar veten mama të dikujt, e kam menduar veten mama të një vajze.
Një ditë dua të kem nje vajzë, e cila them me vete, uroj të më ngjajë.

Dua t’i mësoj se sa e bukur është te jesh femër, se sa bukur është të duash veten. Se flokët e saj të drejta nuk janë më të bukura apo më të shëmtuara se flokët kaçurrela të shoqes të kopshtit.

Unë dua të kem një vajzë, edhe t’i mësoj gjithë gjuhët e mundshme të botës, po mbi të gjitha t’i mësoj se gjuha e zemrës është më e rëndësishmja.
Edhe t’i mësoj të këndojë, të recitojë, të flasë edhe madje të bërtasë kur të jetë nevoja, por kurrë , kurrë mos ta mbaj gojën heshtur.
Dua t’i mësoj se që të dëgjohet nuk ka nevojë për shumë zhurmë , por për argumenta, të cilave t’u qëndrojë bindshëm edhe kur do t’ia hedhin poshtë.
Dua t’i mësoj të lexojë, edhe mos ndalojë kurrë, se leximi edhe arsimimi, edhe dija, edhe dëshira për të mësuar gjëra të reja, është e vetmja rrugë që të njohë veten.

Dua t’i mësoj ta fikë televizorin, të mbyllë instagramin, të fshijë çdo rrjet social kur ndihet mjaftueshëm e ngarkuar emocionalisht nga “kukullat” dhe “lavazhet e trurit”, edhe të dalë, të marrë me vrap rrugët e qytetit, ose biletën e avionit , e të shkojë atje ku i mbushet zemra… Veëm uroj që rrugët mos ta çojnë në një vend, por tek dikush!

Dua ta mësoj se çdo fustan, këmishë apo pantallona janë të bukura nëse e bëjnë të ndjehet mirë, por kurrë mos t’i vendosë para të ndjerit bukur në trupin e vet. Se lëkura e saj do jetë e vetmja veshje që do e shoqërojë gjithë jetën, edhe nëse nuk e pëlqen atë fillimisht, s’ka për t’u ndjerë kurrë bukur.

Unë dua që t’ia kap flokët bishtaleca, po nëse ajo do që t’i presë shkurt, unë do e ndihmoj ta bëje. 

Edhe dua t’i mësoj lirinë e mendimit, edhe të fjalës. Edhe dua ta mësoj të ndjehet aq e fortë në vete dhe të hedhë themele aq të forta në parimet që ajo do besojë, sa asnjë njeri tjeër të mos mundet t’ia ndalë vrrullin.

Edhe dua të mësojë të veshë taka, atlete, fund , fustan, rroba banjo, të lyhet edhe të mos lyhet, të dalë netëve deri ne 5 ose të rrijë gjithe fundjavën në shtëpi, dua ta mësoj se i vetmi njeri që mund të vendosë për atë, është ajo.

Dua t’i mësoj ta dashurojë veten edhe jetën aq fort, sa çdokush që i afrohet me pretendime fallco për ta dashur, t’i tregojë derën. 

Edhe dua t’i mësoj se ka për t’iu thyer zemra, edhe se do jetë sërish mirë. Se jeta i ka të gjitha nga pak, po ajo duhet të mësojë të mbledhë veten edhe të ecë përpara.
Me shpirt do uroja mos të lëndohet kurrë, por është e kotë.
Jam e bindur se do ndodhë , edhe se do ketë netë që teksa unë fle pa ide, ime bijë do jetë duke qarë deri ne orët e para të mëngjesit, për njërin që ja theu zemrën .Ose për shoqen që e lendoi pas krahëve.
Por prap unë do jem aty, edhe do e bind, se çdo gjë në jetë ja vlen. Edhe të mos pendohet. Edhe të mësojë, dalëngadalë, gjërat që nuk i do. Kurrë se çfarë do. Sepse për mua të dish saktësisht se çfarë do pas 10 vitesh, do të thotë të mos evolosh.
Do i mësoj që ta marrë jetën lehtë, si t’i vijë, edhe të jetë aty në gadishmëri për çdo eksperiencë të re. Të kapi trenin e rradhës, të shkëmbejë një buzqeshje në autobuz me dikë, t’i thotë gjithnjë një vajze tjetër se sa e bukur duket atë ditë.

Do i mësoj se femrat janë aty për njëra-tjetrën. Se në ngrihemi lart vetëm duke ngritur njëra-tjetrën.
Do i mëosj se meshkujt nuk janë armiq. Se ka shokë që janë për kokë, ka edhe nga ata me të cilët duhet të ketë limite, por këto limite do i vendosë vetë ajo.

Do i mësoj se ndjesia më e bukur nuk është pushteti, por respekti edhe kur nuk ke asgjë. 

Do i mësoj se puna nuk është kurrë turp. Edhe se nëse do t’ia dalë, duhet ta dojë atë që bën.
Do i mësoj se besimin tek Zoti do e fitojë vetëm kur të bindet se ai ekziston, edhe asnjëherë nëpër mure te vizatuara,po vetëm brenda saj.

Do i mësoj, se kur në tavolinën ku është ulur, nuk i serviret më mirësjellja , të çohet edhe të ikë.

Do i mësoj të dojë fort, edhe të dojë me shpirt,por vetëm se kur ja shkelin shpirtin me këmbë , të ngrihet edhe të ikë.

Do i mësoj të flasë, por kur të duan t’ia ndryshojnë kuptimin fjalëve, më e mira është të heshtë.

Do i mësoj të dëgjojë, të gjitha fjalët, edhe t’i analizojë me veten, edhe të largojë më pas prej mendjes ato që ja trazojnë mendimet.

Do i mësoj të pranojë kritikat, nga ata që e duan. T’i dëgjojnë njerëzit kur janë me nerva, se shpesh flasin të vërteta. Por kurrë të mos ndalet. Veç t’i përdorë në qëllim të vetes.

Do i mësoj se jeta është luftë, po lufta më e fortë është ajo me veten.

Do e mësoj ta falë veten, më shpesh. Se gabimet që bën do e bëjnë njeri më të mirë.

Do e mësoj se vërteta është rruga më ë shkurtër dhe më e shpejtë, për të shmangur dhimbjen.

Do e mësoj t’i pranojë të vertetat, të gjitha të vërtetat, por kurrë gënjeshtrat.

Do e mësoj ta dojë veten aq fort, sa të mos e gënjejë kurrë.
Edhe do e mësoj që është e lirë të bëjë ç’të dojë për aq kohë sa ajo e ndjen si më të mirën për veten. Por gjithnjë të jetë me këmbë në tokë, në ç’rrugë po ecën. 

E prap do e mësoj, se unë do jem aty edhe kur të ma ketë nevojën, edhe kur të mos e kuptojë që ma ka. 

Edhe dua të kem një vajzë një ditë, që ta mësojë të mos ketë frikë nga asgjë dhe asnjë njeri.
Edhe do e mësoj ta zhdukë mentalitetin që dëgjon rrotull, edhe fjalën “rracizëm” nga fjalori.
Edhe mos lejojë asnjë përshkrim të tjetërkkujt, t’ia tjetërsojë apo përcaktojë veten në pasqyrë.
Do e mësoj ta zhveshë veten nga steriotipet, edhe ta peshojë këdo në raport me veten.

Do i mësoj se lumturia e saj varet vetëm nga ajo, çdonjeri tjetër është një faktor i vogël.
Do i mësoj se paratë janë një e mire e domosdoshme por kurrë e mira e vetme.
Do i mësoj se i dashuri, i fejuari apo bashkëshorti, duhet të jetë shoku i saj më i ngushtë, aventura dhe shtëpia e saj, edhe të mos ndalojë së kërkuari derisa të gjejë atë që i bën zemrën të dridhet.
Por do i them që asnjë nuk është domosdoshmëri, janë thjesht një e mirë e shtuar mbi lumturinë e saj. 

Edhe ka shumë gjëra që s’do mundem t’ia mësoj dot unë, por jeta…

Unë dua të kem një vajzë, që t’i mësoj shqip, por t’iu them të vërtetën unë kam frikë.

Kam frikë se nëse kam një vajzë nuk do e mbroj dot nga gjithë shoqëria, kam frikë se mentaliteti mund ta vrasi edhe ta ndrydhë, kam frikë se një ditë pas shkolle do jetë një “macho” që do e ndjekë. Kam frikë se bukuria me 20 filtra instagrami do e bejë të urrejë njeriun që do shohë në pasqyrë.
Kam frikë të kem një vajzë.
Ndaj jam gati që për veten, për ju që më lexoni, për vajzat tuaja, edhe në dashtë Zoti, për vajzën që dua të kem, jam gati të luftoj me këdo. 

Me sistemin e korruptuar, me sistemin e djallosur, me shoqërinë e katranosur që të jep përmasat e trupit ideal, me komshinjtë që mbajnë në gojën “gocën e filanit” , me mamatë që ende i konsiderojnë vajzat “Kur të shkosh te burri….” , me baballarët që ulin kokën se nuk e kanë gocën e virgjër para se të martohet.

Edhe jam edhe do jem gjithnjë në krah të femrave, jo kundra meshkujve gjithësesi.

E kam larë më lot këtë shkrim, nga fillimi e deri më tani.
Unë dua të kem një vajzë një ditë. Por dua edhe një vend ta rris….
Dua edhe një shoqëri që ta ndihmojë të rritet.

#MosMaNdalniVrrullin #MosMaVrisniVajzën

©Fiori Dalipi(fiori_d)

Comments (2):

  1. Erida Cimo

    June 7, 2020 at 8:23 pm

    Super shkrim,,,,nje e vertete sa e bukur por edhe aq rrenqethese! Urime! Dhe uroj qe nje dite ta kemi kete shoqeri per vajzat tona,motrat tona,per te gjithe femrat!

    Reply
    • Fiori

      June 7, 2020 at 8:25 pm

      Erida shume faleminderit.
      Uroj realisht që se bashku të jemi me të forta. Dhe të rrisim femra të forta.

      Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!