M’i ke zbukuruar ditët. Ma shton shumëfish gëzimin teksa hap sytë çdo mëngjes e krah meje të shoh ty.
Për shumë gjatë besova se kisha takuar njerëzit e duhur në kohë të gabuar , derisa të njoha ty. Nuk ishte koha e duhur, ti e rregullove atë.
Edhe aty kuptova të vërtetën e kohës së gabuar. Ajo nuk ekziston kur njeriu është i duhuri.
Dhe çuditërisht , i duhuri erdhi tek unë në formën tënde.
Me ty kam mësuar se i duhuri nuk është perfekt dhe jo gjithmonë i bën gjërat siç dua unë.
Mësova se edhe me të duhurin ka zënka pafund. Ka argumente edhe fjalë që jo gjithmonë janë të bukura. Por mësova se kur ti zihesh me të duhurin, ai kujdeset që asnjeherë mos të të lëndojë edhe kur është me nerva. Ose edhe nëse e bën, është aty për të të kërkuar falje kur gjërat shkuan më larg se ç’duhej.
Në zemrën tënde kam gjetur një shtëpi. Je ti që më bën të ndihem e bukur edhe me flokët e kapura bisht dhe e veshur me bluzën tënde të dimrit, edhe kur jashtë dielli është sa një saç.
Falë teje kam mësuar se kur njerëzit realisht duan, ata munden.
Edhe në ditët kur duken se çdo gjë shkon keq. Në fund të çdo dite ti je aty.
Ta dua zemrën. Atë zemër që të bën të ngrihesh nga vendi e të vish të më ndihmosh teksa gatuaj. Atë zemër që të bën t’ia mbyllësh telefonin çdokujt kur më sheh të mërzitur.
Atë zemër që vjen më puth pas qafe kur më është lodhur koka nga puna në kompjuter.
Atë zemër që të ngre nga vendi të më bësh gati ushqimin kur unë përtoj.
Ta dua zemrën. Se kurrë s’më le mbrapa.
Se mirësia që ke brenda do jetë ajo që do të të bëjë të ngrihesh në mes të natës e të ushqesh fëmijën tonë.
Ta dua zemrën sa herë më korrigjon kur them “Nëse do shkojmë” e ti më thua “Kur të shkojmë “.
Më ke mësuar të besoj se e ardhmja është edhe më e bukur.
Ma jep sigurinë që e do këtë jetë me mua e ndoshta për të parën herë jam gati ta dua edhe unë një jetë të tillë.
Janë gjestet e vogla, menyra se si porosit kafen time të preferuar pa më pyetur, se si shkon përtej të zakonshmes për të më bërë mua të lumtur edhe kur unë harroj datat.
Mënyra se si më sheh kur bëj gjëra të vogla për ty, blej pijen tënde të preferuar apo kur sheh se kam paketuar një bluzë tepër për ty në udhëtimin tonë.
Mënyra se si më përqafon çdo natë para gjumit.
Ti ma ke mbushur zemrën. Ti më ke dhënë një jetë të qetë e të lumtur. Për mua je aventurë dhe shtëpi në të njëjtën kohë.
Nuk je dashuri e nxituar, nga ato që nisin e përfundojnë po aq shpejt.
Je një dashuri e lehtë. Jeta me ty është e lehtë. Se ta dua zemrën. Se ta dua shpirtin….
Nga sot e deri në fund!
©Fiori Dalipi(fiori_d)
Mikaela
April 26, 2020 at 9:45 am
Wow bukur Fiori!
Kjo të ben të mendosh që nuk duhet të ulim standartet e të pranojmë dicka sipërfaqësore, jemi njerëz jo perfekt e kemi nevojë për dikë që na pranon në të vertetë dhe ne po ashtu të kemi të njejtën përgjigje. Ai është i duhuri që i duam zemrën dhe ja japim tonën!
Fiori
April 26, 2020 at 10:41 am
Faleminderit. Për mua është kënaqësi e veçantë të lexoj komente të tilla. Të puth fort 😀